Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë hapi vitin e ri akademik 2026–2027
01.10.2026, Gjakovë
Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë (UFAGJ) organizoi sot ceremoninë solemne të hapjes së vitit të ri akademik 2026–2027, duke mirëpritur studentët e rinj të vitit të parë dhe duke u uruar të gjithë studentëve një vit të mbarë akademik.
Ceremoninë e hapi përfaqësuesja e studentëve, Elda Gacaferri, e cila u uroi mirëseardhje studentëve të rinj dhe suksese në rrugëtimin e tyre akademik.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Rektori i Universitetit, Prof. Ass. Dr. Drilon Bunjaku, theksoi rëndësinë e kësaj dite për studentët dhe për të gjithë komunitetin akademik.
“Të qenurit pjesë e universitetit tonë nuk është vetëm një arritje individuale, por edhe një përgjegjësi. Ju tashmë jeni pjesë e një tradite akademike që rritet çdo vit, duke përgatitur kuadro që kontribuojnë jo vetëm në zhvillimin personal, por edhe në atë të vendit tonë”, u shpreh Rektori.
Ai rikujtoi figurën e akademikut dhe kolosit të arsimit, Prof. Fehmi Agani, në nder të të cilit mban emrin Universiteti, duke e cilësuar atë si një orientim moral dhe profesional për brezat e rinj, të cilët e shohin dijen dhe guximin si themele të lirisë dhe zhvillimit.
Në vijim, Rektori prezantoi përfaqësuesit e menaxhmentit të Universitetit: Prof. Dr. Sindorela Doli Kryeziu, Prorektore për Mësimdhënie dhe Çështje të Studentëve dhe Prof. Dr. Behxhet Gaxhiqi, Prorektor për Zhvillim Akademik dhe Ngritje të Cilësisë. Gjithashtu, ai prezantoi edhe dekanët e njësive akademike: Prof. Dr. Haxhi Kamberi, Dekan i Fakultetit të Mjekësisë; Prof. Dr. Labinot Berisha, Dekan i Fakultetit të Filologjisë; Prof. Ass. Dr. Ferdi Kamberi, Dekan i Fakultetit të Shkencave Sociale; Prof. Dr. Ilmi Hoxha, Dekan i Fakultetit të Edukimit; dhe Prof. Asoc. Dr. Agon Kokaj, ud.Dekan i Fakultetit të Shkencave të Aplikuara.
“Studimet kërkojnë përkushtim, këmbëngulje dhe pasion. Vendi ynë ka nevojë për profesionalizmin, kreativitetin dhe idetë tuaja. Shfrytëzoni çdo mundësi që Universiteti ofron, sepse vitet e studimeve janë periudha më e vlefshme për ndërtimin e së ardhmes suaj”, ishte mesazhi përmbyllës i Rektorit.
Ceremonia u zhvillua në një atmosferë festive, ku studentëve iu shpërndanë fletushka informuese me të dhëna të përgjithshme dhe informacione të rëndësishme për vitin e ri akademik. Po ashtu, ata patën mundësinë të njiheshin nga afër me njëri-tjetrin dhe të bashkëbisedonin me stafin e Universitetit.
Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë u uron të gjithë studentëve një vit të suksesshëm akademik, të mbushur me arritje, përvoja të reja dhe mundësi për zhvillim personal e profesional.