Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë dhe ATI-KOS nënshkruajnë Memorandum Mirëkuptimi për trajnime në fushën e teknologjisë dhe sigurisë kibernetike

Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë dhe ATI-KOS nënshkruajnë Memorandum Mirëkuptimi për trajnime në fushën e teknologjisë dhe sigurisë kibernetike

Gjakovë, 08 Prill 2025

Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë (UFAGj) dhe kompania ATI-KOS sh.p.k., përmes Qendrës së saj të Inovacionit Digjital, kanë nënshkruar një Memorandum Mirëkuptimi (MoU), duke zyrtarizuar bashkëpunimin ndërinstitucional në ofrimin e shërbimeve të trajnimit për studentët në fusha kyçe të teknologjisë së informacionit.

Qëllimi i këtij bashkëpunimi është ofrimi i trajnimeve profesionale dhe praktikave në Teknologjitë e Rrjetit, Sigurinë Kibernetike dhe Internetin e Gjërave (IoT), me qëllim të rritjes së kapaciteteve teknike dhe përgatitjes më të mirë të studentëve për tregun e punës.

Në kuadër të marrëveshjes, ATI-KOS do të ofrojë programe të specializuara trajnimi në ambientet e Qendrës së Inovacionit Digjital, do të bashkëpunojë në zhvillimin e kurrikulës sipas nevojave akademike dhe tregut të punës, si dhe do të organizojë punëtori praktike dhe sesione trajnimi. Pas përfundimit me sukses të këtyre trajnimeve, studentët do të pajisen me certifikata zyrtare të njohura nga ATI-KOS.

Në ceremoninë e nënshkrimit morën pjesë Rektori i Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë, Prof. Ass. Dr. Drilon Bunjaku dhe Drejtori Ekzekutiv i ATI-KOS sh.p.k., z. Fatos Stavileci, të cilët theksuan rëndësinë e këtij partneriteti për zhvillimin profesional të studentëve dhe avancimin e bashkëpunimit ndërmjet akademisë dhe industrisë.

Ky hap shënon një moment të rëndësishëm për UFAGj-në në misionin e saj për të ofruar arsim cilësor dhe të orientuar drejt praktikës, duke fuqizuar lidhjet me sektorin privat dhe duke krijuar mundësi të reja për zhvillim të qëndrueshëm për studentët.

Fotot e lajmit

tp-bottom