Studentët e programit Informatikë Inxhinierike nga Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë marrin pjesë në garën AI-THON 2025

Studentët e programit Informatikë Inxhinierike nga Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë marrin pjesë në garën AI-THON 2025

Më 26.12.2025 u mbajt dita e parë e garës inovative AI-THON, e organizuar nga BONEVET Gjakova dhe e mbështetur nga IPKO. Në këtë garë morën pjesë edhe studentë të Universitetit “Fehmi Agani në Gjakovë të programit Informatikë Inxhinierike.

Gjatë kësaj dite, pjesëmarrësit u njohën me rrjedhën e garës, sfidat që do të trajtoheshin, si dhe me rolin kyç të Inteligjencës Artificiale në krijimin e zgjidhjeve konkrete për probleme reale.

Në kuadër të kësaj gare, studentët tanë nga programi Informatikë Inxhinierike kanë punuar në ndërtimin e një faqeje të plotë website, duke përdorur inteligjencën artificiale. Projekti ka kombinuar ide kreative me mjete moderne teknologjike, duke u fokusuar në dizajnin, strukturimin dhe funksionalitetin e webfaqeve përmes përdorimit të AI-së.

Gjatë procesit të punës, studentët kanë zhvilluar aftësi të rëndësishme praktike, të cilat do t’i ndihmojnë në realizimin e projekteve të ardhshme në mënyrë më të shpejtë dhe më efikase. Përveç aspektit teknik, projekti ka kontribuar edhe në përmirësimin e aftësive për punë ekipore, zgjidhje problemesh dhe përdorim të teknologjive të reja.

Si rezultat i angazhimit dhe punës së suksesshme, grupi i Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë është vlerësuar me vendin e dytë, duke fituar gjithashtu një trajnim dy-mujor. Ky trajnim do t’u mundësojë studentëve të thellojnë njohuritë e tyre në fushën e inteligjencës artificiale dhe zhvillimit të programeve, duke i përgatitur më mirë për projekte dhe sfida të ardhshme profesionale.

 

Fotot e lajmit

tp-bottom