Takim rreth përgatitjeve për procesin pas-akreditues dhe ecurisë së programit Informatikë Inxhinierike
Më 11.03.2026, në Universitetin “Fehmi Agani” në Gjakovë, u mbajt një takim ndërmjet bartësve të programit Informatikë Inxhinierike dhe menaxhmentit të Fakultetit.
Në takim morën pjesë bartësit e programit, Prof. Dr. Ilmi Hoxha, Prof. Ass. Dr. Drilon Bunjaku, Dekanja e Fakultetit, Prof. Dr. Sindorela Doli Kryeziu, u.d. Sekretarja e Universitetit Nita Sina Pruthi si dhe përfaqësuesja e Zyrës për Sigurimin e Cilësisë.
Gjatë takimit u diskutua mbi përgatitjet për procesin e vizitës pas-akredituese të programit Informatikë Inxhinierike, si dhe mbi ecurinë e programit gjatë semestrit dimëror të vitit akademik 2025/2026. U vendos që të hartohet një raport progresi i programit, i bazuar në indikatorët kyç të performancës (KPI), duke u mbështetur në të dhënat statistikore të siguruara nga Zyra për Shërbim me Studentë.
Në takim ishte e pranishme edhe u.d. Sekretarja e Universitetit Nita Sina Pruthi, e cila theksoi se përgatitjet teknike për këtë proces janë në zhvillim e sipër.
Përfaqësuesja e Zyrës për Sigurimin e Cilësisë, informoi të pranishmit lidhur me raportin e vlerësimit të lëndëve për semestrin dimëror të vitit akademik 2025–2026. Ajo bëri të ditur se raporti si dhe vlerësimi nga studentët për të gjithë stafin akademik tashmë i është dorëzuar Dekanes dhe pritet që të rikthehet me rekomandimet përkatëse për përmirësim, bazuar në rezultatet e nxjerra nga pyetësorët e studentëve.
Ajo gjithashtu rekomandoi që, në bazë të këtij raporti, të hartohet një plan veprimi për zbatimin e rekomandimeve, i cili do të përfshijë afate kohore dhe përgjegjës konkretë për realizimin e tyre.