Zhvillohet vizita pas-akredituese për programin Informatikë Inxhinierike në Fakultetin e Shkencave të Aplikuara

Zhvillohet vizita pas-akredituese për programin Informatikë Inxhinierike në Fakultetin e Shkencave të Aplikuara

Gjakovë, 25 mars 2026

Në Fakultetin e Shkencave të Aplikuara të Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë u zhvillua vizita pas-akredituese për programin e studimit Informatikë Inxhinierike (BSc), në kuadër të procesit të vlerësimit të vazhdueshëm të cilësisë akademike dhe institucionalizimit të standardeve të sigurimit të cilësisë.

Ekipi vlerësues përbëhej nga dy ekspertë të jashtëm ndërkombëtarë dhe dy përfaqësues të Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA), nga Divizioni për Procedura Pas-akredituese. Vizita u realizua sipas agjendës së paracaktuar dhe përfshiu një sërë takimesh dhe aktivitetesh vlerësuese.

Vizita nisi me një takim me menaxhmentin e fakultetit, ku u diskutuan çështje kyçe lidhur me zhvillimin strategjik, funksionimin dhe perspektivën e programit studimor. Në këtë kuadër u prezantuan arritjet e deritanishme, sfidat dhe planet për avancimin e mëtejmë të programit në përputhje me kërkesat e tregut të punës dhe standardet ndërkombëtare.

Në vijim, fokusi i vizitës ishte në vlerësimin e infrastrukturës dhe kapaciteteve laboratorike. Ekipi vlerësues vizitoi hapësirat mësimore, laboratorët e specializuar, pajisjet bashkëkohore për zhvillimin e projekteve praktike, si dhe infrastrukturën mbështetëse për aktivitete akademike dhe jashtëkurrikulare. Gjatë kësaj pjese, ekspertët vlerësuan lartë progresin e arritur nga Fakulteti i Shkencave të Aplikuara në ngritjen e infrastrukturës moderne dhe pajisjeve laboratorike, duke theksuar se këto resurse krijojnë kushte optimale për realizimin e objektivave të programit dhe zhvillimin e kompetencave praktike të studentëve.

Ky vlerësim pozitiv, i mbështetur edhe nga interesimi në rritje i maturantëve për këtë program studimor, përbën një bazë të fortë për zhvillimin e mëtejmë të programit. Kërkesa e lartë për studime në fushën e Informatikës Inxhinierike, e shoqëruar me perspektivën e gjerë të zhvillimit profesional dhe mundësitë e larta të punësimit në tregun vendor dhe ndërkombëtar, dëshmon relevancën dhe qëndrueshmërinë e këtij programi në kuadër të ofertës akademike të universitetit.

Vizita vazhdoi me takimin e dytë, ku morën pjesë bartësit e programit, përfaqësuesja e Zyrës për Sigurimin e Cilësisë dhe stafi administrativ. Në këtë takim u diskutua në mënyrë të detajuar progresi i arritur që nga momenti i akreditimit, duke përfshirë implementimin e rekomandimeve të ekspertëve, zhvillimin e kurrikulës, forcimin e lidhjes me industrinë dhe përmirësimin e vazhdueshëm të proceseve akademike dhe administrative.

Në përputhje me Rregulloren e AKA-së për Monitorim dhe Procedura Pas-akredituese, kjo vizitë kishte për qëllim verifikimin e përputhshmërisë së programit me standardet e akreditimit, si dhe vlerësimin e nivelit të zbatimit të rekomandimeve dhe angazhimeve të ndërmarra nga institucioni.

Fakulteti i Shkencave të Aplikuara mbetet i përkushtuar ndaj përmbushjes së standardeve më të larta të arsimit të lartë dhe përmirësimit të vazhdueshëm të cilësisë, me synim përgatitjen e kuadrove profesionale të afta dhe konkurruese në tregun vendor dhe ndërkombëtar të punës, veçanërisht në fushat e teknologjisë, automatizimit dhe sistemeve inteligjente.

Në përmbyllje, fakulteti shpreh mirënjohje për ekipin e ekspertëve dhe përfaqësuesit e AKA-së për bashkëpunimin dhe kontributin e tyre në këtë proces të rëndësishëm, si dhe falënderon të gjithë stafin akademik dhe administrativ për angazhimin dhe përkushtimin e treguar.

Fotot e lajmit

tp-bottom