Gjashtë studente të programit Informatikë Inxhinierike të UFAGJ përfitojnë bursë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës për fushat STEM
Gjashtë studente të programit të studimit Informatikë Inxhinierike në Universitetin “Fehmi Agani” në Gjakovë janë përzgjedhur për të përfituar mbështetje financiare nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, në kuadër të konkursit për ndarjen e bursave për studente vajza/gra të regjistruara për herë të parë në vitin akademik 2025/2026 në programet e fushave të Shkencës, Teknologjisë, Inxhinierisë dhe Matematikës (STEM).
Ky është viti i parë që studente të Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë përfitojnë bursa STEM nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, ndërsa ky sukses është arritur nga studentet e programit të ri të studimit Informatikë Inxhinierike, duke shënuar një arritje të rëndësishme për universitetin dhe për promovimin e pjesëmarrjes së vajzave në fushat teknologjike.
Pas shqyrtimit të aplikimeve nga komisioni përkatës i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, janë përzgjedhur gjithsej 599 studente përfituese nga institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Kosovës, të cilat kanë plotësuar kriteret e përcaktuara në konkurs.
Përfitimi i bursave nga gjashtë studente të programit Informatikë Inxhinierike dëshmon interesimin në rritje të studenteve për fushat teknologjike dhe inxhinierike. Ky rezultat reflekton përkushtimin e UFAGJ për të promovuar dhe mbështetur pjesëmarrjen e vajzave dhe grave në fushat STEM, të cilat janë ndër fushat më të rëndësishme për zhvillimin shkencor, teknologjik dhe ekonomik.
Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë i përgëzon studentet për këtë sukses dhe i inkurajon ato që të vazhdojnë me përkushtim rrugëtimin e tyre akademik dhe profesional në fushën e teknologjisë dhe inovacionit.
Gjithashtu, Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë mirëpret edhe këtë vit aplikimet e studenteve të interesuara për t’u regjistruar në programin e studimit Informatikë Inxhinierike BSc. 180 ECTS, duke i ftuar të rejat që kanë interesim për teknologjinë, programimin, sistemet kompjuterike dhe fushat e reja digjitale që të zgjedhin këtë program studimi. Universiteti mbetet i përkushtuar në krijimin e mundësive për zhvillim profesional dhe në përgatitjen e kuadrove të rinj në përputhje me kërkesat e tregut të punës dhe zhvillimet bashkëkohore teknologjike.