Regjistrimi në UGJFA

KUSHTET E PËRGJITHSHME PËR REGJISTRIM NË UNIVERSITETIN E GJAKOVËS “FEHMI AGANI” 

Çdo vit akademik Universiteti i Gjakovës “Fehmi Agani” shpall konkurs publik për regjistrim të studentëve në vitin e parë të studimeve të rregullta Bachelor për secilin program që ofron. 
Të drejtë konkurrimi kanë të gjithë kandidatët të cilët e kanë përfunduar me sukses shkollën e mesme në Republikën e Kosovës si dhe në shtete tjera jashtë Republikës së Kosovës në kushte të njëjta të konkursit.
Në kuadër të numrit te përgjithshëm të përcaktuar, duke u bazuar në UA nr. 09/2016 te MASHT-it, universiteti regjistron deri në 12%, studentë të rregullt nga komuniteti jo-shumicë. Kuota prej 12% e vendeve të rezervuara për regjistrim të studentëve nga komuniteti jo-shumice shpërndahet në mënyrë proporcionale, sipas përqindjes së numrit të përgjithshëm të studentëve për secilin program të fakulteteve veç e veç. 
Mbi bazë të konsideratave humane, Universiteti i Gjakovës “Fehmi Agani” rezervon të drejtën e pranimit të kandidateve me nevoja të veçanta.
Në UFAGJ, në bazë të kuotave të përcaktuara nga MASHT-i, në kuadër të numrit të përgjithshëm të studentëve, mund të regjistrohen deri ne 2% nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja; deri ne 2% nga Maqedonia dhe Shqipëria dhe deri në 1 % nga Mali i Zi. Kandidatët të cilët kanë lindur në vendet e sipërshënuara, ndërsa shkollimin e mesëm e kanë mbaruar në Republikën e Kosovës, i nënshtrohen kushteve të njëjta për pranim si kandidatët nga Kosova.
Në Universitet mund të pranohen edhe studentët nga shtetet e tjera, në kushte të njëjta konkurrimi me kandidatet nga Kosova.
Kandidatë jo-kosovare konsiderohen kandidatët të cilët shkollimin e mesëm e kanë mbaruar jashtë Kosovës dhe me rastin e paraqitjes në konkurs, duhet të verifikohet njohja e institucionit shkollor në baze të listës së MASHT-it e cila iu dorëzohet të gjitha njësive akademike. Këta kandidatë me rastin e aplikimit, duhet ta dorëzojnë edhe nostrifikimin e diplomës nga institucionet përkatëse. Njohja (nostrifikimi) i diplomave bëhet në MASHT.
Çdo kandidat mund të konkurrojë vetëm në një program. Studentët aktual të universitetit nuk mund të riaplikojnë në ndonjë program tjetër.
Deklarimi i rrejshëm në formularin për vetëdeklarim, konsiderohet vepër penale sipas nenit 391 të Kodit Penal (KODI NR.04/L-082) të Republikës së Kosovës.

MËNYRA E PËRZGJEDHJES SË KANDIDATËVE

Përzgjedhja e kandidatëve për të gjitha fakultetet bëhet sipas kritereve si në vijim:
1. Për nxënësit që kanë diploma për kryerjen e shkollës së mesme e nuk kanë pasur provim të maturës:
Numri maksimal i pikëve sipas kritereve vijuese është 100 pikë dhe atë:
Suksesi në shkollën e mesme deri në 30 pikë; dhe 
Suksesi në provim pranues deri në 70 pikë.

2. Për nxënësit që kanë diploma për kryerjen e shkollës së mesme dhe që e kanë dhënë me sukses provimin e maturës:
Numri maksimal i pikëve sipas kritereve vijuese është 100 pikë dhe atë:
Suksesi në shkollën e mesme deri në 30 pikë; 
Suksesi në maturë deri në 30 pikë; dhe 
Suksesi në provimin pranues deri në 40 pikë.

AFATET E KONKURSIT

Konkursi shpallet në ueb faqen zyrtare të Universitetit ku janë të përcaktuara datat për aplikim.
Kandidatët duhet ta plotësojnë formularin e aplikimit - APLIKIMI ONLINE duke printuar aplikacionin së bashku me fletëpagesën.
Kandidatët nuk mund t’i dorëzojnë dokumentet nëse paraprakisht nuk kanë aplikuar online dhe nuk e kanë bërë pagesën. Dokumentet e kërkuar sipas konkursit, dorëzohen në fakultetet përkatëse.
Dokumentacioni për aplikim:
Certifikatën e lindjes (origjinale) jo më të vjetër se 6 muaj.
Dëftesat e të gjitha klasave të shkollës së mesme (origjinale ose të noterizuara).
Diplomën e kryerjes së shkollës së mesme dhe dëftesën e maturës nëse ka pasur provim të maturës (origjinale ose të noterizuara).
Kopjen e letërnjoftimit.
Fletë-aplikacionin së bashku me pagesën prej 2.50 €.
Vendimin mbi njohjen e shkollimit jashtë vendit.

Konkursi – Afati i parë Korrik 2019

tp-bottom